Behramaj reagon pas bastisjes te Artan Behrami: Prokuroria Speciale s’mërzitet për të drejtat e njeriut
Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi ka reaguar pasi Gjykata Speciale aktualisht po bastis shtëpinë e ish-këshilltarit tjetër, Artan Behrami.
Behramaj, të cilit para disa muajve po ashtu iu bastis shtëpia, ka thënë se këta persona para se të ishin këshilltarë, janë “njerëz të dëshmuar në jetën publike e institucionale”.
“Bastisja e sotme tek Artani është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë dhe përpjekje për ta shurdhuar çdo zë kritik. Është vërtet e paprecedent kjo qasje. Është e pabesueshme sesi përndjekja po shihet si drejtësi nga kjo prokurori, e cila as që mërzitet për të drejtat e njeriut!” – ka shkruar tutje ai.
Postimi i plotë:
Stafi i zellshëm i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, po provon t’i gjejë arsyet e dështimit të tyre nëpër shtëpitë tona. Dje shkuan te Bashkimi e Blerimi, sot tek Artani. Të gjithë këta, para se të ishin këshilltarë të presidentit, janë njerëz të dëshmuar në jetën publike dhe institucionale të shtetndërtimit të Kosovës, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare.
Bastisja e sotme tek Artani është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë dhe përpjekje për ta shurdhuar çdo zë kritik. Është vërtet e paprecedent kjo qasje. Është e pabesueshme sesi përndjekja po shihet si drejtësi nga kjo prokurori, e cila as që mërzitet për të drejtat e njeriut!
Nëse sjellja e kësaj prokurorie është reflektim i vlerave perëndimore për drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, atëherë është tejet e dhimbshme ku qenkan katandisur këto vlera. Në të kundërtën, kjo sjellje nuk do të duhej të tolerohej as nga ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian në Kosovë!