Begaj në takim me kryeministrin e Luksemburgut, flasin edhe për dialogun Kosovë-Serbi
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve në këtë vit që shënon 100-vjetorin e njohjes së Shqipërisë nga Luksemburgu dhe 50-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për ndihmën e çmuar që Luksemburgu dha për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrimtar i nëntorit 2019 në Shqipëri.
Presidenti i Shqipërisë e falënderoi Kryeministrin Bettel edhe për hapësirat dhe kushtet që Luksemburgu i ka krijuar komunitetit shqiptar që jeton e punon atje.
Kreu i Shtetit dhe Kryeministri Bettel vunë theksin te rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi si e vetmja rrugë drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit.
Ata ndanë mendime mbi zhvillimet politike ndërkombëtare, me fokus pasojat dhe ndikimin e luftës në Ukrainë për rendin botëror dhe sigurinë e paqen në tërësi.