Begaj në Preshevë: Shqipëria do të vijojë mbështetjen për të drejtat e shqiptarëve
Gjatë vizitës, Begaj zhvilloi takime me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, si edhe me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në fokus të bisedimeve ishin shqetësimet e shqiptarëve të Luginës, forcimi i bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar dhe projektet që synojnë mbështetjen e të rinjve.
"Vizitova sot Luginën e Preshevës, ku jetojnë shqiptarë në trojet e veta, fatkeqësisht jashtë trupit amë.Më pritën me flamur e zemrat plot dashuri, si vëllai pret vëllanë. Biseduam me kryetarët e komunave, Ardita Sinani dhe Arbër Pajazitin, deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Enkel Rexhepin, për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, për forcimin e bashkimit të faktorit shqiptar, si edhe për projektet që do të ndihmojnë rininë e këtushme. I inkurajova liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Si President i Republikës së Shqipërisë, u garantova mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare.I sigurova se do të vazhdoj të jem, si deri më tani, avokat i tyre, avokat i të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Luginës në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare.", ka shkruar Begaj.