Begaj: Kosova duhet t`i dëgjojë më shumë këshillat e SHBA-së dhe të BE-së
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kërkuar nga liderët institucionalë të Kosovës që t`i dëgjojnë këshillat më shumë këshillat e SHBA-së dhe BE-së.
Ai ka bërë me dije se Shqipëria e ka detyrim kushtetues të interesohet për Kosovën.
Në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar, Begaj ka thënë se Kosova t`i zbatojë obligimet ndërkombëtare që ka marrë.
“Integriteti dhe sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm. Fat i madh që në Kosovë kemi edhe KFOR-in që garanton sigurinë, kufirin e Kosovës, por çdo vendim që Kosova duhet të marrë, për të zbatuar detyrimet që i takojnë si shtet, do të ishte mirë të bëheshin me këshillimin dhe marrjen e pëlqimit dhe të dëgjonin më shumë këshillat e marra nga SHBA dhe BE”, është shprehur Begaj.
Sipas tij, ndikimi i Shqipërisë në rajon është shumë i madh.
“Shqipëria është e vogël, por kontributi në politikën e jashtme është i madh, sidomos në rajon, ku është një faktor kontribuues për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Natyrisht Kosova është një pjesë e jona, jemi një komb, dy shtete. Është interesi më madhor i Shqipërisë është detyrim kushtetues të interesohemi për Kosovë”, ka thënë Begaj.