BE reagon për dy urat mbi Ibër: S’jemi në dijeni, as të përfshirë
Bashkimi Evropian ka reaguar pas planit të Qeverisë në largim që t’i ndërtojë dy ura anash asaj kryesores që ndodhet mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas “Radio Evropës së Lirë”, një zëdhënës i bllokut ka thënë se nuk janë në dijeni dhe as të përfshirë në këtë projekt.
"BE-ja nuk është në dijeni të këtij projekti dhe as nuk është e përfshirë në të" – citohet se ka thënë zëdhënësi.
Theksojmë se këtë javë, ministri në detyrë i Infrastrukturës nënshkroi Memorandum Bashkëpunimi me dy komunat e Mitrovicës, asaj të Veriut dhe Jugut, me ç’rast njoftoi se do të ndërtohen dy ura të reja mbi lumin Ibër – lum ky i cili ndan dy komunat.
“Memorandumin e filluam me nënshkrimin e projektit të përbashkët të ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër, projekte këto që do të lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve të të dy komunave dhe do shërbejnë si infrastrukturë në komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve, duke forcuar integrimin social dhe zhvillimin ekonomik në të dy anët” - tha Aliu.