BE-ja vendos që t’i hapë bisedimet për anëtarësim me Bosnjën
Udhëheqësit e BE-së janë pajtuar për t’i hapur bisedimet për anëtarësim me Bosnjën e Hercegovinën, por kanë theksuar se shteti ballkanik duhet të bëjë më shumë reforma para se bisedimet të nisin.
“Urime! Vendi juaj është në familjen tonë evropiane. Vendimi i sotëm është një hap kyç përpara në rrugën tuaj drejt BE-së” – shkroi në rrjetin X presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përderisa udhëheqësit u takuan në samitin e Brukselit, raporton gazeta “The Guardian”.
Vendimi shihet gjerësisht si hap historik për Bosnjën, duke e shtuar shpresën se shteti mund të lëvizë përtej jostabilitetit të shënuar nga rivalitetet etnike e kërcënimet për ndarje, gati tri dekada pas përfundimit të një lufte shkatërruese.
Bosnja ka qenë kandidate zyrtare për anëtarësim në BE nga viti 2022, por duhej të zbatonte një varg reformash para se ta merrte dritën e gjelbër për të kaluar në fazën e ardhshme.
“Tani puna e madhe duhet të vazhdojë në mënyrë që Bosnja e Hercegovina të përparojë në mënyrë të qëndrueshme, siç dëshiron populli juaj” – shkroi Michel në rrjetin X.
Brukseli tha javën e kaluar se Bosnja kishte kompletuar disa prej hapave të kërkuar, por mbeten reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi.