BE-ja e shqetësuar për mosmiratimin e rezultateve të Listës Serbe, kërkohet depolitizimi i punës së KQZ-së - NACIONALE

BE-ja e shqetësuar për mosmiratimin e rezultateve të Listës Serbe, kërkohet depolitizimi i punës së KQZ-së

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me veprimin e KQZ-së për të mosshpallur rezultatin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Një zëdhënës i BE-së ka bërë me dije se puna e KQZ-së nuk duhet politizuar.

“BE shpreh shqetësim serioz për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e rezultatit final për Listën Serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka thënë një zëdhënës i BE-së për “Kohen”.

Ai iu ka bërë thirrje palëve që të punojnë së bashku.

“BE-ja përsërit thirrjen për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit vëzhgues të zgjedhjeve dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai ka treguar se çka duhet të ketë parasysh legjislatura e re.

“Është me rëndësi që të gjithë deputetët e zgjedhur të marrin ulëset e tyre në Kuvendin e ri të Kosovës. BE rikujton se legjislatura e ardhshme e Kosovës duhet të përshpejtojë reformat e lidhura me BE-në dhe të ratifikojë marrëveshjet nga Plani i Rritjes, që është në pritje, në dobi të popullatës së Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Lajme të ngjashme