Bastisje në veri të Kosovës, rasti ka të bëjë me barrikadat e armatosura në fund të 2022’ës
Një bastisje e udhëhequr nga Drejtoria për Hetime të Krimeve të Rënda është duke u zhvilluar aktualisht në veri të Kosovës, konkretisht në fshatin Banjskë dhe Lozhistë të Zveçanit; ndërsa rasti ka të bëjë me barrikadat në veri të Kosovës që u vendosën në dhjetor të vitit 2022.
Kështu konfirmoi për Nacionale Zëvendës Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili përveç se njoftoi se “rasti ka të bëjë me barrikadat e vendosura në veri në vitin 2022” nuk dha detaje të tjera; ndërsa tha edhe se “nuk ka ndonjë të arrestuar”.
Kujtojmë se në fund të dhjetorit të vitit 2022 serbët në veri kishin vendosur barrikada të mëdha ku kishin bllokuar qarkullimin pothuajse në tërë veriun e vendit; ku edhe kishte pjesëtarë të armatosur që qëndronin prapa tyre.
Heqja e atyre barrikadave kishte ndodhur në një ndërmjetësim të madh mes ShBA-së, BE-së, NATO-s dhe Serbisë.