Bastisje e forcave izraelite në jug të Sirisë, së paku 13 të vrarë
Të paktën 13 njerëz janë vrarë gjatë një bastisjeje të forcave izraelite në një fshat në jug të Sirisë gjatë natës, raportuan mediat shtetërore, në njërin nga incidentet më vdekjeprurëse të llojit të vet në disa muaj. Mediat shtetërore thanë se në mesin e të vdekurve ka fëmijë.
Agjencia e lajmeve “Sana” tha se banorët e fshatit Beit Jinn “u konfrontuan” me trupat izraelite, duke çuar në shkëmbim zjarri. U kryen edhe sulme ajrore. Ministria e Jashtme e Sirisë e dënoi atë që e quajti “krim lufte” nga Izraeli, raporton televizioni BBC.
Ushtria izraelite tha se trupat e saj shkuan në fshatin që ndodhet në skajin e Rrafshnaltës së pushtuar të Golanit për të arrestuar militantë për të cilët tha se “avancuan sulme terrori kundër civilëve izraelitë”.
Sipas ushtrisë, gjashtë ushtarë u lënduan gjatë përleshjeve, tre prej tyre seriozisht.
Ushtria izraelite tha se e kishte vënë në shënjestër grupin militant “Jamaa Islamiya” në operacionin e së premtes dhe se, kur bastisja filloi, “disa terroristë të armatosur hapën zjarr” në drejtim të ushtarëve, të cilët u kundërpërgjigjën në të njëjtën mënyrë.
Agjencia “Sana” tha se fshati gjithashtu u bombardua. Në pamje të publikuara nga ushtria izraelite shihen dy sulme ajrore – një ndaj një grupi njerëzish dhe një tjetër ndaj një ndërtese. Në pamje të siguruara nga kamera në trupat e ushtarëve, ata mund të shihen duke thënë në një rrugë në errësirë, ndërsa zhurma e armëve automatike mund të dëgjohet në largësi.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, grup vëzhgues me bazë në Britani, tha se një ndërtesë u shemb gjatë operacionit.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se “të gjithë të dyshuarit u arrestuan dhe një numër i terroristëve u eliminuan”.
Sipas agjencisë “Sana”, tre persona u arrestuan nga trupat izraelite, të cilat më pas u tërhoqën, transmeton gazeta "Nacionale".
“Sana” e citoi drejtorin e një spitali lokal të ketë thënë se ajo qendër kishte pranuar trupa të pajetë, përfshirë pesë nga një familje. Drejtori tha se dhjetëra njerëz të tjerë kishin pësuar lëndime.
Ministria e Jashtme e Sirisë tha se mbi 10 civilë ishin vrarë, përfshirë gra e fëmijë, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të bëjë diçka për ta ndalur “politikën e agresionit” të Izraelit.