Basha fshihet pas Kurtit në përplasjen me Ramën: "Albini ju mund bashkë kur t’doni" - NACIONALE

Basha fshihet pas Kurtit në përplasjen me Ramën: "Albini ju mund bashkë kur t’doni"

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka reaguar ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke e sulmuar atë me akuza politike dhe duke e lidhur me PDK-në e Sami Lushtakun.

Ndonëse përplasja e Bashës me Ramën po vazhdon në nivel personal dhe politik në rrjete sociale, ai zgjodhi që në fund të reagimit të tij të fshihet pas emrit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në reagimin e tij, Basha tha se Rama dhe Lushtaku po përdorin të njëjtën gjuhë kundër Vetëvendosjes.

“Se di sa po e vëreni, Sami Lushtaku dhe Perparim Rama me t’njejten gjuhë, t’njejtat shpifje!”, shkroi Basha.

Ai më pas e akuzoi Ramën se është pjesë e një skenari politik të PDK-së për ta kapur LDK-në nga brenda.

“U qartësu situata më në fund. PDK-ja e Sami Lushtakut kumari me Përparimin, dhe tash synim e kanë ta kapin LDK-në përmes tij”, deklaroi ai.

Në fund, megjithatë, Basha nuk e mbylli përplasjen në emër të vetin, por u mbështet te Kurti.

“Veç dine që rezultatin në fund e keni njejtë, Albini ju mund bashkë kur t’doni, sa herë t’doni”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme