Ballkani i hapur – takim online i liderëve të rajonit
Të premten është zhvilluar një takim online mes liderëve të rajonit të ballkanit perëndimor. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord për krijimin e grupeve të përziera ndër-sektoriale të punës për temat e krizës dhe me qëllim krijimin e një agjencie të përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkanin e Hapur, shkruan Euroneës.
Në fillim të takimit, Kovaçevski falënderoi për mbështetjen e hapur Vuçiqin dhe Ramën dhe theksoi se propozimi francez për veton me Bullgarinë, i është përcjellë Kuvendit maqedonas.
Ndërsa, Rama dhe Vuçiqi veçmas përsëritën mbështetjen e tyre për aktivitetet e ndërmarra nga Kovaçevski dhe theksuan se e ardhmja evropiane e rajonit është e vetmja mundësi e mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.
Në takimin e sotëm, liderët e nismës Ballkani i Hapur theksuan rëndësinë e aktiviteteve të ndërmarra për të shfrytëzimin e lidhjes rajonale dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, e cila tashmë ofron përfitime ekonomike për të gjithë qytetarët.
Ata konkluduan se përgatitjet për panairin e madh të verërave, ushqimit dhe turizmit në Serbi po shkojnë mirë, në të cilin kantinat dhe prodhuesit e verës nga të tre vendet do të kenë mundësinë t’i prezantojnë produktet e tyre para mysafirëve nga rajoni dhe Evropa.
Kujtojmë se Kosova vazhdon ta refuzojë në mënyrë kategorike përfshirjen në këtë projekt.