Bakojanis: Edhe dy milionë njerëz të tjerë do të kenë mbrojtjen e Këshillit të Evropës
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, e raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës Dora Bakoyannis, që hartoi raportin për Kosovën ka shprehur entuziazmin e saj në një intervistë për Mediabox pasi Asambea Parlamentare të Këshillit të Europës votuan pro raportit të saj, i cili rekomandon që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate.
“Ata votuan me një shumicë të jashtëzakonshme raportin tim që nënkupton se raporti është pozitiv për te Komiteti i Ministrave. Ata kërkuan opinionin tonë dhe opinioni ynë është pozitiv. Ne besojmë që ajo vrimë e vogël e zezë në zemrën e Europës duhet të mbyllet edhe dy milionë njerëz të tjerë do të kenë mbrojtjen e Këshillit të Europës, mbrojtjen për të drejtat e njeriut, të drejtat fetare dhe sigurisht mundësinë që të shkojnë në Gjykatën Europiane në rast se këto të drejtat shkelen. Është e rëndësishme për minoritetin serb, është e rëndësishme për të gjithë minoritetet. Por, është e rëndësishme për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe që do të ndiejnë nga sot se e kanë edhe një të drejtë më shumë”, tha Bakojanis“
Tutje ajo ka sqaruar se si greke, nuk e ka parë anëtarësimin e Kosovës në këshill në pikëpamjen e shtetësisë por në aspektin e të drejtave të njeriut.
“Është një situatë shumë e vështirë dhe të jesh greke është edhe më e vështirë sepse e kam thënë që nga momenti i parë se nuk jemi duke folur për shtetësinë. Ne po flasim për të drejtat e njeriut. Nëse do të flisnim për shtetësinë, unë s’do ta merrja këtë raport sepse do të isha e njëanshme dhe s’do ta kisha integritetin që i nevojitet këtij raporti. Por, tani e di që raporti është korrekt. Kosova ka një rrugë të gjatë për të ecur, do të monitorohet nga Këshilli i Europës në rast se hyn. Që nga momenti i parë ata morën përsipër zotime që shpresoj se i plotësojnë, por ne do t’i shikojmë ato shumë seriozisht.”