Bahtiri panelist për shëndet mendor - si tallej Kurti me profesionet, kur kërkohej tërheqja e Trustit?
Ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka treguar se ka marrë pjesë si panelist në një konferencë për shëndetin mendor dhe parandalimin e vetëvrasjeve. Në biografinë e tij thuhet se është shkolluar për menaxhment.
Para më shumë se dy vjetëve, kur në Kuvend po diskutohej një kërkesë e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, për tërheqjen e një pjese të mjeteve të Trustit nga qytetarët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte përdorur si kundërargument shkollimin e deputetit opozitar për ta kundërshtuar kërkesën e tij, sepse, sipas kreut të Qeverisë, nuk kishte kuptim që një fizioterapeut të bënte kërkesa që bëjnë pjesë në fushën e ekonomisë dhe financave.
Gjatë një replike me deputetin Haxhiu në qershor të vitit 2022, Kurti kishte thënë: “Unë jam i bindur që po të ishte këtu deputet Bedri Hamza, nuk do ta propozonte [tërheqjen e mjeteve]. Unë jam i bindur që nuk është e rastësishme që në emër të LDK-së nuk folën as Avdullah Hoti, as Hykmete Bajrami dhe as Lumir Abdixhiku. A e kupton? – Po ta kanë lënë ty këtë punë. Fizioterapisti me doktoraturë t’propozojë tërheqjen e Trustit.” Në fund, Kurti i kishte ngritur duart në shenjë çudie.
Nuk dihet nëse kryeministri do ta këshillojë Bahtirin që në të ardhmen të mos marrë pjesë në konferenca që nuk ndërlidhen me shkollimin e tij.