Azemi i LDK-së: Taksat e qytetarëve po shfrytëzohen për subvencionimin e energjisë elektrike në veri
Koordinatori i Departamentit për Energji në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, në një prononcim për KosovaPress ka akuzuar qeverinë e Albin Kurtit për vazhdimin e diskriminimit të qytetarëve të Kosovës në faturimin e energjisë elektrike. Azemi theksoi se kjo ndodh duke u marrë qytetarëve mjetet në një formë ose tjetër, dhe se ky është një avaz i vjetër i vazhduar nga qeveria aktuale.
Në deklaratën e tij, zoti Azemi argumenton se ka ekzistuar një padrejtësi e qartë ndaj qytetarëve të Kosovës, sidomos ata të pjesës veriore të vendit, në mënyrën se si është bërë faturimi i energjisë elektrike.
Ai ka theksuar se pjesa tjetër e faturës, që është paguar nga qytetarët e pjesës veriore, është përdorur për të paguar edhe energjinë për qytetarët e tjerë, duke i lënë ata në një pozicion të padrejtë.
“Ka qenë një padrejtësi lidhur me atë se si janë diskriminuar qytetarët e tjerë, ku me anë të faturimit të tyre, është paguar edhe pjesa tjetër e faturës, të cilën qytetarët e pjesës veriore nuk e kanë paguar dhe kjo gjykatë (Supreme) dëshmoi edhe një herë se ajo ka qenë e padrejtë dhe se ky vendim i gjykatës tanimë obligon kompaninë (KEDS) bashkë me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, që ato mjete që janë paguar nga qytetarë të tjerë, të kthehen në çfarëdo forme që është e mundur apo gjendet si kompromis. Ne çfarë jemi duke parë akoma është se edhe kjo qeveri ka vazhduar avazin kur faturimi për pjesën veriore është paguar në një formë apo tjetër nga taksat e qytetarëve sepse kjo çfarë janë duke bërë tani, është prapë duke shkuar me subvencionim të asaj pjese.” - ka thënë Azemi.