Azemi i LDK-së i reagon VV-së: Po duan marrjen e 51 mandateve me dhunë e manipulim - NACIONALE

Azemi i LDK-së i reagon VV-së: Po duan marrjen e 51 mandateve me dhunë e manipulim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi ka reaguar pas Vetëvendosje po kërkon të hetohet procesi i votimit me postë, ku kjo parti mori një numër të madh votash.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Azemi ka thënë se VV po tenton t’i marrë 51 mandate me dhunë e manipulim.

“Lëvizja Vetëvendosje po tenton të ndikojë dhe të manipulojë procesin zgjedhor duke kërkuar nga KQZ të anulojë votat me postë dhe të organizojë zgjedhje të reja vetëm për diasporën. Po e fshehin manipulimin e tyre me vota ne ambasada e konsulata. Paramendoni, jane gati 2000 vota qe jane printuar me defekt të njejtë dhe për çudi të gjitha këto janë vota për Levizjen Vetevendosje! Ky eshte manipulimi! Ky eshte keqperdorimi! Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë dhe vullnetit të qytetarëve” – ka shkruar ai.

Tutje, Azemi ka thënë:

“Nuk do ta ndalni rritjen e LDK-së as në Kosovë e as në diasporë. Ftojmë komunitetin ndërkombëtar që të ndërhyjë për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe votën e qytetarëve të vendit dhe të sigurojë që zgjedhjet në Kosovë të jenë të lira, të drejta dhe demokratike. Demokracia nuk mund të jetë peng i një partie të vetme!”.

Theksojmë se partia në pushtet ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tri ankesa.

Në njoftimin për media, KQZ-ja ka treguar se do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare.

“KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik. Andaj, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025” - është thënë në njoftimin e KQZ-së

Lajme të ngjashme