Azemi i LDK-së, Bajqinovcit të VV-së: Pse Mefaili po e mbron hajninë?
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, i ka reaguar deputetit të VV-së, Mefail Bajqinovci, në lidhje me njëhsorët elektrikë.
Zyrtari i LDK-së e ka akuzuar atë të VV-së për mbrojtje të hajnisë.
Në profilin e tij në Facebook, Azemi ka shkruar
“Pse Mefaili po e mbron hajninë? Heshti 6 vjet për një skandal që vetë thotë se e paska ditur më herët. Hera e parë që foli, nuk kërkoi drejtësi, e mbrojti hajninë. Dhe sot po mashtron. Po e largon vëmendjen, e po e mbronë mashtrimin më të madh energjetik. Njëhsorët nuk janë “Iskra”. I kemi 877 mostra. Shihni vetë nëpër shtëpi. Por edhe sikur të ishin, hajnia është hajni, edhe po të ishte e vet Mefailit. Sepse problemi nuk është emri i pajisjes. Problemi është faturimi i padrejtë, abuzimi dhe mungesa e përgjegjësisë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, kush e relativizon problemin e njësoreve elektrikë po e mbron hajninë.
“Kush e ka ditur dhe ka heshtur, ka bashkëpërgjegjësi. Kush del dhe e relativizon sot këtë skandal, po e mbron këtë hajni. Prandaj pyetja mbetet e njëjtë: Mefail, pse po e mbron hajninë? Këto ditë do të vazhdojmë me zbardhjen e plotë të këtij skandali; deri në Prokurori”, ka shkruar ai.
Dje edhe gazeta Nacionale ka publikuar një hulumtim në lidhje me këtë çështje.
Hulumtimi në terren i gazetës Nacionale ka zbuluar të dhëna shqetësuese mbi sinkronizimin e orës së njehsorëve të energjisë elektrike dhe orës reale.
Ne kemi qenë në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Fushë Kosovë, Podujevë, Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjakovë, ku kemi mbledhur në total 1050 njëhsorë të energjisë elektrike, duke krahasuar orën në këta njëhsorë dhe orën e saktë sipas kohës zyrtare.
Rezultati tregon një devijim të madh: Vetëm 3 njëhsorë nga 1050 në total rezultuan pa asnjë devijim në kohë. Të gjithë të tjerët kishin diferenca.