Azemi: Edhe Auditori gjen parregullësi në kontratat e negociuara të KEK-ut
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, ka reaguar ndaj shkrimit të gazetës Nacionale, i cili flet për 70 milionë euro kontrata njëburimore në KEK.
Ai ka bërë me dije se shqetësimet që i kemi ngritur si LDK në lidhje me kontratat me negocim, po i konfirmon edhe raporti nga Zyra Kombëtare e Auditimit për këtë ndërmarrje, i cili është publikuar në Nacionale.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se këto kontrata duhet urgjentisht të hetohen nga prokuroria.
“Shqetësimet që i kemi ngritur si LDK në lidhje me kontratat me negocim, në veçanti nga Korporata Energjetike e Kosovës, po i konfirmon edhe raporti nga Zyra Kombëtare e Auditimit për këtë ndërmarrje. KEK gjatë vitit 2023 ka nënshkruar gjithsej 40 kontrata në vlerë totale mbi 70 milionë euro me procedurën e negocimit. Në disa prej aktiviteteve të prokurimit, ZKA ka gjetur mangësi. Një nga to ka të bëjë me kontratën 56 milionëshe për modernizimin e turbinave në Termocentralin Kosova B, ku menaxhmenti nuk e kishte kërkuar vërtetimin tatimor për të rikonformuar gjendjen e obligimeve tatimore të operatorit ekonomik para nënshkrimit të kontratës”, ka shkruar Azemi.