AVONET: Komuna e Ferizajt lëshoi leje ndërtimore në kundërshtim me ligjet
Rrjeti i Organizatave joqeveritare “AVONET” ka lëshuar një komunikatë, në të cilin ka komentuar punën e qeverisjes lokale të Komunës së Ferizajit.
Në këtë komunikatë, “AVONET” ka shkruar se Komuna e Ferizajit ka lëshuar leje ndërtimore për tetë vite në kundërshtim me ligjet.
“Me aktgjykimin e nxjerrur nga Gjykata Themelore në Prishtinë të datës 12.09.2023, kjo gjykatë aprovoi kërkesëpadinë e paditësit Imri Haliti, me të cilin u anulua vendimi i datës 04.09.2017 për Dhënien e Pëlqimit për Miratimin e PZHK-së 2017-2025 të Komunës së Ferizajt. Në këtë drejtim, ky vendim përmes mjetit të rregullt juridik u atakua nga MMPHI-ja si palë paditëse në këtë konflikt administrativ, pranë Gjykatës së Apelit, ku me datë 23.01.2025 kjo gjykatë mori vendim për refuzimin e ankesës së MMPHI-së.
Ky vendim i Gjykatës së Apelit shënon një fitore të madhe të aktivizmit qytetarë të disa qytetarëve të Komunës së Ferizajt, të cilët për 7 vite radhazi kanë luftuar për të u zbardhur e vërteta në lidhje me këtë rast. Ky vendim vulos paligjshmërinë e Planit Zhvillimor Komunal të Ferizajt 2017-2025, për faktin se i gjithë procesi administrativ që zhvilloi Komuna e Ferizajt ishte zhvilluar pa mbajtur shqyrtimin publik, i cili është kërkesë e dispozitave ligjore të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe dispozitave ligjore të Udhëzimit Administrativ mbi elementet dhe kërkesat themelore për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e PZHK-së” – thuhet në komunikatën e AVONET, ndër të tjera.