AVONET dorëzon padi ndaj qeverisë në detyrë, kërkohet pezullimi i vendimit për buxhetin
Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar padi ndaj Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës.
Kjo ndërlidhur me vendimin për miratimin e buxhetit 2026.
Drejtori ekzekutiv i AVONET, Kenan Gashi, pas dorëzimit të padisë tha se ky veprim është ndërmarrë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
“Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Çështje Administrative padinë për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, nr. 02/273, të datës 31.10.2025, për miratimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026. Së bashku me padinë, AVONET ka propozuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme të sigurisë, me qëllim që të pezullohet ekzekutimi i vendimit të Qeverisë në detyrë deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata. Ky propozim është ngritur në bazë të neneve 99 dhe 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative, duke u arsyetuar se zbatimi i vendimit do të shkaktonte dëme të rënda dhe të pariparueshme ndaj rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe interesit publik të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Gashi theksoi se Qeveria në detyrë ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Në padinë e dorëzuar, AVONET thekson se Qeveria në detyrë, me rastin e miratimit të vendimit në fjalë, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin 72, si dhe me nenet 28, 29 dhe 31 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat kufizojnë veprimtarinë e një qeverie që ushtron funksionet vetëm për çështje të domosdoshme administrative dhe jo të miratojë projektligje”, tha ai.