Avokati Zekaj: Mungesa e oksigjenit në Pallatin e Drejtësisë dëmton seriozisht shëndetin
Avokati i Yll Zekaj përsëri ka ngritur shqetësimin për mungesën e kushteve elementare në Pallatin e Drejtësisë.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka përmendur rastet e shumta që personali i këtij pallati ka pasur probleme me shëndetin për shkak të mugës së oksigjenit.
Sipas tij, Prokuroria Themelore në Prishtinë duhet të hetojë mungesën e kushteve elementare në këtë objekt, ndërtimi i të cilit ka kushtuar 30 milionë euro.
“Alivanosja e radhës në Pallatin e Drejtësisë! Në vitin 2015, ish Kryeministri Isa Mustafa dhe Komisioneri Evropian Johanes Hahn, kishin inauguruar Pallatin e Drejtësisë, si investim më i madh i pas luftës në sistemin e drejtësisë, në vlerën prej 30 milionë euro, 26.1 milion te financuara nga Bashkimi Evropian, kurse pjesa tjetër e financuar nga buxheti i Kosovës. Edhe pse 30 milionë euro duken shumë dhe janë shumë, punëtorë të Pallatit të Drejtësisë dhe të gjithë ata që marrin shërbime, përballen me mungesë elementare të kushteve brenda këtij pallati. Ashensorët e këtij pallati janë të frikshëm, shpesh janë jashtë funksionit, e ne shumë raste stafi i pallatit ka mbetur i ngujuar në ta, kurse në një rast 4 zyrtarë të këtij pallati kishin mbetur të lënduar, kur njeri nga këta ashensorë i kishte ‘lëshuar’”, ka shkruar ai, duke përmendur edhe raste tjera.
“Për shkak të sistemit të mbyllur të pallatit dhe mosfunksionim të sistemit të ventilimit, temperaturat brenda pallatit shkojnë mbi 33 grade gjate verës, kurse gjatë dimrit nuk funksionon sistemi i ngrohjes dhe temperaturat në hapësirat e pallatit janë shumë të ulëta. Kurse për shkak të mungesës se oksigjenit, stafi që punon në këtë pallat, përballet me dëmtim serioz të shëndetit. Mungesën e oksigjenit e verën secili që qëndron për një kohë të shkurt brenda hapësirave të pallatit, e kjo është konstatuar edhe përmes matjeve që janë bërë për nivelin e oksigjenit në pallat. Si pasoj e mungesës së oksigjenit, ka pasur dhjetëra raste të alivanosjeve të stafit të pallatit, rasti më i freskët ndodhi dje me alivanosjen e një zyrtare të Prokurorisë themelore të Prishtinës”, ka shkruar ai.
Avokati Zekaj ka ftuar prokurorinë që të merret me këtë rast.
“Mungesa e oksigjenit përveç simptomave si marramendja, koke dhembja, djersitja, plogështia, lodhja, simptoma qe i kane shumica e zyrtarëve që punojnë 8 orë brenda këtij pallati, mungesa e oksigjenit për një kohë të gjatë, dëmton seriozisht shëndetin. Prokuroria themelore në Prishtinë, në vend të konstatimit të alivanosjes së zyrtarëve të saj në vendin e punës, duhet të hetoj mungesën e kushteve elementare, përkundër investimit 30 milionësh në Pallatin e Drejtësisë. Dëmtimi i vazhdueshëm i shëndetit në vendin e punës i stafit të Pallatit të Drejtësisë, duhet të jetë alarm si për institucionet e sistemit të drejtësisë, ashtu edhe për institucionet e shëndetit publik”, ka shkruar ai.