Avokati i Salih Mustafës: Ai nuk e ka ndaluar e as torturuar askënd - NACIONALE

Avokati i Salih Mustafës: Ai nuk e ka ndaluar e as torturuar askënd

1 vit më parë

nga NACIONALE

Julius Von Bone, avokat i Salih Mustafës, në fjalën përfundimtare në Gjykatën Speciale, është shprehur i bindur se klienti i tij është i pafajshëm.

Në fjalën e tij, Von Bone theksoi se nuk ka asnjë provë që Cali ta ketë torturuar apo ndaluar ndokënd.

“Nuk ka pasur asgjë të tillë si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, ku Salih Mustafa ka luajtur ndonjë rol për kryerjen e krimeve të pretenduara. Mustafa nuk ka marrë pjesë në asnjë Ndërmarrje të tillë. Z.Mustafa nuk kishte asnjë njohuri për krimet e aktakuzës. Nga data 1 deri më 19 prill ndoshta mund të ketë qenë pak herë në Zllash, ai nuk ka ndaluar e as torturuar askënd, asnjëherë në atë vend. Ai nuk ka urdhëruar askënd tjetër për ta bërë një gjë të tillë. Nuk ka asnjë provë që ai ka pasur dijeni se gjëra të tilla kanë ndodhur”, deklaroi avokati i Salih Mustafës.

Ai theksoi se UÇK-ja nuk ka pasur një zinxhir të mirëfilltë komandues, përderisa foli edhe për njësitin BIA.

“Mund të themi se edhe ndërkohë që personat ishin vullnetarë, ajo strukturë dukej si një organizatë ushtarake. Është keqkuptim i plotë që BIA operonte në Zllash. Njerëz nga BIA mund të kenë qenë atje, por ata asnjë lloj mënyrë nuk kishin kontroll në Zllash. Ata nuk kanë funksionuar në asnjë zonë të veçantë të Zllashit. Nuk kishte asgjë që kërkonte nevojën e tyre. Nuk kishte asnjë lloj operacioni të kryer në Zllash. Shtëpitë në Zllash, Mustafa i vlerësoi si vend i duhur për relaks pas operacioneve që kishin”, theksoi avokati Von Bone.

Ndryshe, Prokuroria ka kërkuar 35 vjet burg për Salih Mustafën.

Lajme të ngjashme