“Avokati i Popullit filloi të përsiatej...” – Zëdhënësi i qeverisë tregon pse diskutuan Kurti e Osmani në takim
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka treguar pse diskutuan kryeministri Kurti e presidentja Osmani në takimin e sotëm. Diskutim që u duk pak i tensionuar.
Sipas Kryeziut, ata diskutuan pasi Avokati i Popullit paralajmëroi se do ta dërgojë në Kushtetuese, Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Postimi:
Në fjalën e tij sot në mëngjes, në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, Kryeministri Albin Kurti, përveç tjerash, tha se 10 ligje të Kuvendit që përbëjnë reforma tejet të rëndësishme në përputhje me ndryshimin e madh demokratik zgjedhor të shkurtit 2021 me slloganin “Drejtësi dhe Punësim”, janë të ngujuara, të rrëzuara ose të deformuara te Gjykata Kushtetuese. Kur pas Kryeministrit e mori fjalën Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai filloi të përsiatej qysh po mendon ta dërgojë edhe një ligj tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe Ligjin e ri për Zgjedhje, që u votua në lexim të dytë në Kuvend sivjet më 8 qershor, u shpall në gazetën zyrtare më 3 korrik dhe hyri në fuqi më 18 korrik 2023. Në atë xhirim shihet Kryeministri Kurti duke i folur Presidentes Osmani për Avokatin e Popullit Qelaj dhe këtë çështje të fjalës së tij.