Avokati i familjes Dehari sot mbanë konferencë për media
Tomë Gashi avokati I familjes së të ndjerit Astrit Dehari, gjatë ditës së sotme ka thirrur konferencë për media. Konferenca është paraparë që të nisë nga ora 12:00 në zyrën e tij në Prishtinë.
Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka theksuar se para katër muajsh i është drejtuar me shkrim prokurorit të rastit, Afrim Shefkiut, mirëpo, sipas tij, deri më tash nuk ka marrë përgjigje.
“Prokurorit të rastit Afrim Shefkiu me shkrim, që katër muaj, i kërkuam që të iniciojë hetim penal dhe të identifikojë se kush i manipuloi provat e dërguara në Zvicër, prokurori nuk përgjigjet fare. Prokurorit të rastit i janë bërë dhjetëra kërkesa, në të cilat ai nuk është përgjigjur asnjëherë dhe njëra prej tyre është që të kërkojë sqarime nga ekspertët e mjekësisë ligjore në Prishtinë lidhur me plagët e shkaktuara te Astrit Dehari në ballë e që janë në forma sferike të rrumbullakëta dhe që kanë largësi e diametër të njëjtë dhe, sipas të gjitha rrethanave, janë shkaktuar me goditje me boks të hekurit”.