Avokat Koci njofton për rastin, vëllai i deputetes Mulhaxha që MD e shkarkoi nga puna dorëzon padi - NACIONALE

Avokat Koci njofton për rastin, vëllai i deputetes Mulhaxha që MD e shkarkoi nga puna dorëzon padi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Avokati Arianit Koci ka thënë se kompania e tij është autorizuar nga Ilir Mulhaxha, përmbarues privat, për ta përfaqësuar në rastin e shkarkimit nga ky funksion.

Koci përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se dje kanë dorëzuar padinë për anulimin e vendimit si dhe kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi.

“Unë dhe kolegu i im Granit Vokshi të bindur se Gjykata do t’i japë të drejtë argumenteve tona, ngase vendimi për shkarkim është krejtësisht i paligjshëm dhe si i tillë e cenon rëndë sigurinë juridike në Kosovë.” – ka bërë të ditur ai.

Ndërkohë, para rreth dy javësh zëvendësministri Blerim Sallahu njoftoi se ka nënshkruar vendimin për pushim nga puna ndaj Mulhaxhës.

Sallahu përmes një shkrimi në Facebook kishte thënë se Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privat ka gjetur se i njëjti gjatë kryerjes së veprimeve përmbarimore në kuadër të aktivitetit të tij, nuk iu ka përmbajtur ligjit, në lëndën e përmbarimit.

“Sapo kam nënshkruar vendimin për pushim nga detyra të përmbaruesit privat z. Ilir Mulhaxha. Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privat ka gjetur shkelje disiplinore pasi që i njëjti gjatë kryerjes së veprimeve përmbarimore në kuadër të aktivitetit të tij, nuk iu ka përmbajtur ligjit, në lëndën e përmbarimit, dhe si rrjedhojë është shqiptuar masa disiplinore, shkarkim nga detyra.” - ka shkruar Sallahu.

Lajme të ngjashme