Avdiu pyet Qeverinë se çfarë zgjidhje ka për veriun: Situata atje është shumë e tensionuar
Aktivistja dhe analistja, Zana Avdiu, ka thënë se situata në veri të vendis është keqësuar edhe më shumë, që prej ndërhyrjes së Qeverisë gjatë muajit korrik.
Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Avdiu ka thënë se krejt çka është fituar, ka qenë kriza dhe situata e tensionuar.
“Qe nga korriku kur Qeveria i filloi nderhyrjet ne Veri, edhe perkunder kerkesave te Amerikes qe te mos veproje atje, gjendja u keqesua tejet shume. As nuk i bene targat e hoqen dore nga zgjedhjet. E krejt cka fituam eshte vetem kriza dhe situata e tensionume, qe nuk dihet si do te perfundoje.” – ka shkruar ajo.
Tutje, Avdiu ka thënë se Njësia Speciale është bllokuar në veri, dhe se janë kthyer edhe barrikadat.
“Policia-Njesia Speciale, u nguju atje keshtu tu mos me mujte me i kry as detyrat e saja. Barrikadat u kthyen, ajo pjese i doli nga dora krejtesisht Kosoves. U munduat me ba dicka, qe krejt te kemi kallxu qe smundesh me ia dale ne krye, dhe tash e kuptuat edhe ne praktike qe smundeni. Qysh doni me ia lidhe kryte tash kesaj pune?” – shkroi ajo.
Në fund, Avdiu ka shtruar edhe një pyetje: “Cila eshte zgjidhja qe e ofron Qeveria?”
Mbrëmë është konfirmuar se të shtëna ka pasur edhe në afërsi të patrullës së KFOR-it në Zubin Potok, të cilën e konfirmoi vetë ky mision.
“Mund t’ju konfirmojmë se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër. S’ka të lënduar dhe as dëme materiale. Jemi duke i kryer hetimet dhe sapo ato të përfundojnë do të njoftoheni”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka demantuar raportimet e mediave serbe, duke thënë se nuk ka marrë pjesë në asnjë shkëmbim zjarri ndaj asnjë grupi dhe nuk ka qenë e përfshirë në çfarëdo shkëmbimi.
“Referuar pyetjeve të shumta adresuar Policisë së Kosovës se, a është sulmuar Policia në Zubin Potok, apo a ka pas shkëmbim të zjarrit mes Policisë dhe grupeve kriminale?, ju informojmë se; Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi, PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, ka thënë Kelani për Nacionalen.