Autoritetet gjermane presin më shumë arrestime për tentativën për puç
Autoritetet gjermane presin arrestime dhe bastisje të reja ditëve të ardhshme në lidhje me një grup të së djathtës ekstreme, për të cilin prokurorët thonë se ishte duke planifikuar rrëzim të dhunshëm të shtetit dhe vendosje të një ish-anëtari të një familjeje mbretërore gjermane si udhëheqës kombëtar.
“Duke u bazuar në përvojën time, zakonisht ka një valë të dytë të arrestimeve”- tha Georg Maier, ministër i Punëve të Brendshme në shtetin lindor gjerman, Thuringia.
Udhëheqësi i planifikuar nga grupi, Heinrich XIII, i cili e përdor titullin princ, është pasardhës i Shtëpisë mbretërore të Reuss-it në Thuringia, raporton agjencia “Reuters”.
Njëzet e pesë anëtarë dhe përkrahës të grupit u arrestuan të mërkurën gjatë bastisjeve në të cilat u përfshinë rreth tre mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë e organeve të drejtësisë. Maier-i e përshkroi aksionin si të pashembullt në historinë moderne të Gjermanisë.
Holger Muench, komandant i zyrës së policisë federale, i tha televizionit ARD të enjten se numri i të dyshuarve në këtë rast është 54 dhe se ky numër mund të rritet.
“Kemi identifikuar njerëz shtesë për të cilët nuk jemi ende të sigurt për statusin e tyre në lidhje me këtë grup”- tha ai.