Australia e tërheq vendimin, s’e njeh Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit
Australia e ka ndryshuar vendimin e marrë para katër vjetëve, me të cilin e kishte njohur Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.
Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se vendimi i vitit 2018 e ka minuar paqen dhe e ka vendosur Australinë jashtë hapit me kombet e tjera. Sidoqoftë, ajo theksoi se Australia mbetet mike e palëkundur e Izraelit. Ambasada e Australisë do të qëndrojë në Tel Aviv.
Statusi i Jerusalemit është njëra nga çështjet më të kontestuara mes Izraelit dhe palestinezëve, raporton televizioni BBC.
Ministria e Jashtme e Izraelit shprehu “zhgënjim të thellë” për vendimin e Australisë dhe do ta thërrasë në takim ambasadorin e këtij vendi, raportuan mediet izraelite.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kishte nxitur kritika ndërkombëtare më 2017, kur e kishte ndryshuar politikën e jashtme amerikane, të vjetër me dekada, duke e njohur qytetin e lashtë si kryeqytet të Izraelit. Ambasada amerikane qe zhvendosur nga Tel Avivi në Jerusalem në majin e vitit 2018.
Disa muaj më vonë, kryeministri i atëhershëm australian, Scott Morrison, kishte njoftuar se qeveria e tij do ta ndiqte rrugën e ShBA-së për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Sidoqoftë, Australia nuk e kishte zhvendosur ambasadën në Jerusalem, duke thënë se një gjë të tillë nuk do të bënte derisa të arrihet një marrëveshje e paqes.