Asociacioni i Komunave të Kosovës kundërshton vendimin e MFPT: Ndërhyrje e pajustifikueshme në punën e komunave - NACIONALE

Asociacioni i Komunave të Kosovës kundërshton vendimin e MFPT: Ndërhyrje e pajustifikueshme në punën e komunave

1 vit më parë

nga NACIONALE

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar me shqetësim të madh ndaj një vendimi të fundit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, që u kërkon komunave të ndalin procesin e vlerësimit të pronës komunale për qëllime këmbimi gjatë periudhës zgjedhore.

Sipas AKK-së, ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe konsiderohet si ndërhyrje në kompetencat që u garantohen komunave me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi. Drejtori ekzekutiv i Asociacionit, Sazan Ibrahimi, theksoi se vlerësimi i pronës është një procedurë teknike dhe administrative, jo politike, dhe si i tillë nuk bie ndesh me rregullat që ndalojnë vendimmarrje politike gjatë zgjedhjeve.

“MFPT, përmes kësaj ndërhyrjeje të paarsyeshme, po cenon drejtpërdrejt autonominë funksionale të pushtetit lokal dhe po krijon barriera burokratike që pengojnë realizimin e projekteve në dobi të qytetarëve,” tha Ibrahimi.

Ai ka paraqitur tri kërkesa ndaj MFPT-së:

Tërheqjen e menjëhershme të kërkesës për ndalimin e vlerësimit të pronës gjatë periudhës zgjedhore;

Respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve që garantojnë kompetencat e pushtetit lokal;

Ndaljen e ndërhyrjeve politike dhe të njëanshme në punën administrative të komunave.

Lajme të ngjashme