Asamblisti i Mitrovicës së Veriut i fton për kafe Kurtin e Osmanin në veri
Zëvendëskryesuesi në Kuvendin Komunal në Mitrovicë të Veriut, Skender Sadiku u ka bërë ftesë presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti, që të shkojnë për kafe në veri të vendit.
“Po e ftoj nga ky vend presidenten, ministrat, edhe juve analistët, gazetarët, të gjithë të pimë kafe në veri… Si asamblist i bëj ftesë publike edhe ministrave edhe kryeministrit, kur jetojmë ne 23 vjet atje, pse të mos vijnë për kafe ata”, ka thënë Sadiku në Klan Kosova.
Sadiku,tha se komuniteti shqiptar që jeton në Mitrovicën e Veriut, duhet, siç tha ai, të joshet që të jetojë atje.
“Komuniteti joshumicë që jeton në Mitrovicë duhet të joshet dhe t’i jepen modele të mira për të jetuar atje. Shqiptarët jetojnë edhe në Leposaviq e Zubin Potok dhe ata duhet t’i kthehen normalitetit. Policia duhet ta kryejë punën e vet dhe të tjerët ta bëjnë punën e vet”, ka thënë Sadiku.
Ai tha se i bën apel ministrave, që të kontribuojnë që shqiptarët të jetojnë në veri të vendit.
“U bëj apel edhe ministrave të tjerë, jo vetëm atij të mbrojtjes, të joshen popullata shqiptare dhe serbe”, ka thënë ai.
Ai madje tha se mund të dalin dhe të pinë kafe pa problem në Mitrovicën e Veriut.
“Për Mitrovicën po ju garantoj, prej këtu nisemi kur të doni, 24 orë do të pimë kafe. Për Zubin Potok e Leposaviq mund të shkojmë, por po flas për Mitrovicën”, shtoi ai.