Arritën deri në 39 gradë Celsius, IHMK njofton se pritet të ulen pak temperaturat - NACIONALE

Arritën deri në 39 gradë Celsius, IHMK njofton se pritet të ulen pak temperaturat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditëve të fundit, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), vendi ynë është përfshirë nga një valë e të nxehtit, me temperatura maksimale ditore që janë luhatur ndërmjet 29 dhe 39 gradë Celsius.

Kjo gjendje meteorologjike është rezultat i masave ajrore të nxehta, të cilat kanë ndikuar në rritjen e konsiderueshme të temperaturave, përtej mesatares së zakonshme për këtë periudhë të vitit.

Sidoqoftë, parashikimet sinoptike tregojnë për një ndryshim të theksuar të motit gjatë fundjavës, i cili do të shoqërohet me një rënie të ndjeshme të temperaturave maksimale.

“Këto ndryshime lidhen me depërtimin e masave ajrore më të freskëta nga veriu dhe veriperëndimi i kontinentit, që do të ndikojnë në një stabilizim gradual të kushteve atmosferike” - thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Për ditën e shtunë parashikohet mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta. Temperaturat minimale pritet të jenë ndërmjet 12 dhe 18 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të lëvizin ndërmjet 26 dhe 29 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi, me shpejtësi 1-3 m/s.

Të dielën moti do të jetë me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 11 dhe 16 gradë Celsius, kurse ato maksimale pritet të sillen mes 25 dhe 30 gradë Celsius. Era do të vijë nga drejtimi i veriperëndimit, me shpejtësi 1-4 m/s.

Megjithëse temperaturat do të bien gjatë fundjavës, IHMK njofton se indeksi UV mbetet i lartë, prandaj vazhdojnë të jenë në fuqi rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Lajme të ngjashme