Arrestohet polici që e shkaktoi aksidentin në Prizren ku vdiq një këmbësor
Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar polici që e shkaktoi aksidentin në Prizren, ku vdiq një këmbësor.
Njoftimi:
Komunikatë për media
Arrestohet një zyrtar policor i dyshuar për aksidentin me pasoja fatale në Prizren
Prizren, 7 nëntor 2025
Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot në orët e mbrëmjes nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku ku ishte përshirë një zyrtar policor -- jashtë detyrës zyrtare.
Aksidenti raportohet se ka ndodhur rreth orës 18:00 në rrugën “Ismajl Kryeziu” në Prizren ku një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare duke qarkulluar me veturën private ka shkaktuar aksident trafiku me pasoja fatale duke goditur një këmbësor i cili fatkeqësisht ka humbur jetën.
Në vend të ngjarjes kanë dalë hetuesit e IPK-së, njësitë relevante policore dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prizren.
Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se drejtuesi i veturës nuk ka përshtatur shpejtësinë e drejtimit të mjetit me kushtet e rrugës duke shkaktuar aksidentin.
Lidhur me këtë rast është iniciuar rast penal lidhur me veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, kurse i dyshuari (zyrtari policor) është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.