Arrestohet një person për ryshfet, bastisje në Gjilan dhe Prishtinë
Një person është arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti, pas dy bastisjeve të zhvilluara në Gjilan dhe Prishtinë.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, operacioni lidhet me hetimet për tjetërsimin e dyshuar të një prone.
Bastisjet janë kryer nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gjatë operacionit është arrestuar i dyshuari V.M., i cili është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Autoritetet kanë sekuestruar sende dhe materiale që mund të jenë relevante për hetimin. Prokuroria Speciale dhe Policia kanë njoftuar se veprimet hetimore po vazhdojnë.