Arrestohet në Shqipëri një 29 vjeçar që po trafikonte eksplozivë drejt Kosovës
Policia e Shqipërisë ka sekuestruar drogë, tritol dhe municion luftarak në një operacion të zhvilluar mes Pukës dhe Tropojës, ndërsa ka arrestuar një 29-vjeçar me inicialet L.P. Sipas autoriteteve, i dyshuari kishte transportuar lëndët e ndaluara me një barkë në drejtim të Tropojës, me synimin për t’i trafikuar në Kosovë.
Operacioni i koduar “Varkëtari” u realizua nga strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Policinë e Tropojës dhe me mbështetjen e forcave të posaçme “Shqiponja”. Hetimet ishin bazuar në informacionet operative për një tentativë trafikimi të drogës dhe materialeve shpërthyese drejt territorit të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, policia sekuestroi 1.2 kilogramë kanabis, 405 gram tritol, 51 kapsolla detonatore, 5 metra fitil zjarrpërcjellës, municion luftarak, si dhe një shumë parash.
Policia bëri të ditur se 29-vjeçari u kap në flagrancë në fshatin Dushaj, teksa lëvizte me një automjet “Volkswagen”. Lënda narkotike, tritoli dhe municionet ishin fshehur në bagazhin e makinës. Dyshohet se ai i kishte sjellë me varkë nga fshati Apripë i Pukës nëpër liqen, e më pas kishte parkuar automjetin në Tropojë për të shmangur kontrollet policore.
Autoritetet shqiptare kanë njoftuar se, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me policinë e Kosovës, po vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personit që pritej t’i blinte materialet në Kosovë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.