Arrestohen tre policët që dyshohen për dhunë ndaj qytetarit në Klinë, dërgohen në mbajtje - NACIONALE

Arrestohen tre policët që dyshohen për dhunë ndaj qytetarit në Klinë, dërgohen në mbajtje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tre policët e dyshuar për dhunë ndaj qytetarit, janë dërguar në mbajtje.

Komunikata:

Komunikatë e përbashkët për media nga IPK dhe Prokuroria Themelore ne Pejë

Prishtinë/Pejë, 30 qershor 2025,

Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës, pas grumbullimit të provave dhe analizimit të tyre, kanë arrestuar sot tre zyrtarë policorë, të cilët dyshohen se gjatë arrestimit të një personi kanë tejkaluar autorizimet e tyre dhe kanë keqtrajtuar fizikisht të njëjtin derisa i njëjti ishte i prangosur.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit (zyrtarë policorë) janë ndaluar për 48 orë për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”

Hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Për detaje ju lutem i referoheni edhe komunikatës së djeshme si më poshtë lidhur me rastin e njëjtë:

Komunikatë për media

IPK rekomandoi suspendimin për tre zyrtarë policorë të Stacionit policor në Klinë

Prishtinë/ Klinë, 29 qershor 2025

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Klinës.

Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së kurse incidenti ku dyshohet se janë përfshirë tre zyrtarët policorë raportohet të ketë ndodhur më 28 qershor 2025 në rrugën “Ismail Qemajli” në qytetin e Klinës, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së një qytetari.

Bazuar nga të gjeturat e hetimit fillestar ekziston dyshimi se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari përderisa në deklaratat e tyre dhe në raportet zyrtare është prezantuar një version që rezulton të jetë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike.

Në bazë të kompetencave të përcaktuara me Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin ndaj tre zyrtarëve policorë të përfshirë si të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Me respekt;

Divizioni për bashkëpunim dhe informim

Inspektorati Policor i Kosovës

Lajme të ngjashme