Arrestohen tre persona në Prishtinë, dyshohen për falsifikim dokumentesh dhe shitje pasaportash false - NACIONALE

Arrestohen tre persona në Prishtinë, dyshohen për falsifikim dokumentesh dhe shitje pasaportash false

2 orë më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, ka zhvilluar një aksion në tre lokacione të ndryshme, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar me inicialet G.Th., E.G. dhe Sh.Sh.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit hetohen për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë komunikime në rrjetet sociale, kontakte ndërmjet të dyshuarve dhe dokumente të falsifikuara të shteteve të ndryshme.

Dyshohet se grupi ka falsifikuar dokumente identifikimi, si letërnjoftime, patentë shoferi dhe pasaporta të disa shteteve evropiane, të cilat u siguroheshin personave të kërkuar me fletarrest ndërkombëtar. Sipas hetimeve, për këto dokumente paguheshin shuma deri në 15 mijë euro.

Prokuroria Themelore në Prishtinë theksoi se mbetet e përkushtuar, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, për luftimin e krimit dhe garantimin e sundimit të ligjit.

Lajme të ngjashme