Arrestimi i “spiunëve”, ambasadori rus në Tiranë i mbron: Është e turpshme
Pas 6 ditësh nga arrestimi i 2 rusëve dhe ukrainasit gjatë tentativës për të hyrë me dhunë në uzinën ushtarake të Gramshit kanë ardhur reagimet e para nga pala ruse.
Agjencia e lajmeve TASS shkruan se ambasadori rus në Shqipëri, Mikhail Afanasyev, e konsideron politike këtë çështje.
“Është e turpshme, pasi pa dalë ende rezultatet e hetimit, konkluzionet e prokurorisë, ngjarja cilësohet si vepër spiunazhi dhe pjesëmarrësit në incident quhen ‘agjentë të Rusisë’ dhe për ta kërkohet dënimi më i ashpër”, ka thënë ai sipas TASS.
Afanasyev sipas TASS akuzon autoritetet shqiptare se nuk respektuan dispozitat e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore duke pretenduar se e kanë informuar për ndalimin e shtetasve rusë.