Arratisjet e të burgosurve: Kurti, Haxhiu dhe Sveçla vizitojnë SHKK-në
Kryeministri Albin Kurti, ministrja Albulena Haxhiu dhe ministri Xhelal Sveçla kanë vizituar Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulene Haxhiu, ka treguar qëllimin e kësaj vizite.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se vizita ka qenë pjesë e angazhimit të tyre për të monitoruar dhe përmirësuar sektorët kyç të sigurisë dhe shërbimeve publike.
“Së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla zhvilluam një vizitë në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Në këtë takim theksuam rëndësinë e reformave të qëndrueshme dhe angazhimin e Qeverisë për përmirësimin e kushteve të jetesës brenda institucioneve korrektuese dhe forcimin e mekanizmave të rehabilitimit. Po ashtu theksuam bashkërisht zotimin për modernizimin e infrastrukturës dhe profesionalizimin e stafit të SHKK-së, duke nënvizuar që siguria dhe trajtimi dinjitoz janë thelbësore për ne. Kjo vizitë është pjesë e angazhimit tonë për të monitoruar dhe përmirësuar sektorët kyç të sigurisë dhe shërbimeve publike. Ajo do të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, për të siguruar që Shërbimi Korrektues të funksionojë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.”, shkroi Haxhiu.
Në postimin e saj, Haxhiu nuk ka folur për arratisjet e shumta të të burgosurve nga burgjet e Kosovës.