Arifi: PDK-ja dhe LDK-ja nuk e kanë luksin të shikojnë Albin Kurti duke e zhbë shtetin e Kosovës
Ish-kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Avni Arifi, ka vlerësuar se do të ishte fitore politike për opozitën të shihte në këtë mandat sesi rrënohet kulla e mashtrimit e Albin Kurtit dhe LVV-së.
Megjithatë, ai ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja nuk e kanë këtë luks.
Në profilin e tij në “Facebook”, Arifi ka shkruar se këto parti nuk mund të shikojnë e të presin sesi Albin Kurti e zhbën shtetin e Kosovës.
“Do të ishte një fitore e plotë politike për opozitën të shihte sesi rrënohet kulla e mashtrimit e Albin Kurtit dhe LVV-së, veçanërisht kur në tetor mbahen zgjedhjet lokale dhe serbët në komunat veriore kthehen në pozitat udhëheqëse të këtyre komunave. Do të ishte vërtet interesante të shihej sesi Kurti, me “parimet” e tij, do të përballej me SHBA-në e Trumpit dhe një BE të përqendruar në kërkesat që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj – qoftë ato të marra gjatë kohës së Thaçit, qoftë ato gjatë kohës së Kurtit. Fatkeqësisht, as PDK-ja e as LDK-ja nuk e kanë këtë luks që të shikojnë e të presin sesi Albin Kurti e zhbën shtetin e Kosovës. Historia nuk do t’ua falte”, ka shkruar Arifi.