Arifi: Liburn Aliu dhe Qeveria e Kosovës kanë dashur të ndërhyjnë në proceset demokratike në Preshëvë - NACIONALE

Arifi: Liburn Aliu dhe Qeveria e Kosovës kanë dashur të ndërhyjnë në proceset demokratike në Preshëvë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Preshëvës, Shqiprim Arifi akuzon qeverinë e Kosovës për qasjen selektive në Luginë. Për këtë ai bën përgjegjës ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke hedhur hipoteza për arsyen e mosshpërndarjes së 2 milionë eurove për Luginën e Preshevës.

Po ashtu, Arifi ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë Kurti, pasi dy përfaqësuesit e saj, Besnik Bislimi dhe Arbërie Nagavci, nuk e kanë vizituar komunën e Preshevës.

“Nuk ka pasur as kërkesë për takim. Precedent është kjo që ka ndodhur sot, për arsye se as në Qeverinë Rugova, as Thaci, as në qeveritë e mëhershme nuk kanë bërë të njëjtën që e kanë sot Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë kryetari i Preshevës për T7.

Sipas Arifit, ministri Liburn Aliu, si preshevar, po e shtyn një agjendë selektive për Luginën.

Është inat personal për shkak të ndërrimit të pushtetit lokal këtë vit. Liburn Aliu dhe Qeveria e Kosovës publikisht kanë dashur të ndërhyjnë në proceset demokratike në komunën e Preshevës. Edhe kjo është precedent. Kjo është hera e parë që një Qeveri ndërhyn në këto procese”, tha Arifi.

Sipas tij, pushteti ka inat dhe i pengon që ai është kryetar i Preshevës, e jo ish-kryetarja Ardita Sinani, që, sipas Arifit, ka qenë e preferuara e Qeverisë Kurti për ta drejtuar komunën.

Ai ka thënë se akoma nuk u janë dhënë 2 milionë eurot e ndara për Luginën e Preshevës. Arifi hedh dyshime për arsyen që nuk po shpërndahen këto mjete.

Jo vetëm që po ngjan, por ashiqare nuk po i dërgojnë 2 milionë eurot, për të cilat mendoj se kanë dashur t’i avullojnë një pjesë të madhe në drejtim të Liburn Aliut dhe Vetëvendosjes”, ka thënë kryetari i Preshevës.

Lajme të ngjashme