Arben Gashi mbështet thirrjen e Kuvendit të LDK-së: Nuk është betejë kundër një individi
Arben Gashi nga LDK-ja ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në këtë parti, ku po kërkohet shkarkimi i liderit të saj, pasi sot janë dorëzuar nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit sipas statutit të partisë.
Gashi tha se kërkesa për thirrjën e Kuvendit të LDK-së dhe ngritjen e çështjes së votëbesimit është ushtrim i demokracisë së brendshme.
Reagimi i plotë:
LDK-ja është një ideal, një histori dhe një përgjegjësi ndaj Kosovës.
Kërkesa për mbledhjen e Kuvendit të LDK-së dhe ngritjen e çështjes së votëbesimit është ushtrim i demokracisë së brendshme dhe i përgjegjësisë politike.
Pas tri proceseve zgjedhore, mesazhi i elektoratit është i qartë: LDK-ja ka nevojë për reflektim, vendimmarrje dhe vizion për rikthimin e saj si forcë udhëheqëse në Kosovë.
Kjo nuk është betejë kundër një individi, por kërkesë për një standard më të lartë politik, për llogaridhënie dhe për një LDK më të fortë.
Kuvendi është vendi ku vendos demokracia. Aty duhet të përcaktohet drejtimi i LDK-së, me guxim, përgjegjësi dhe vizion.
Për një LDK që bashkon, udhëheq dhe fiton përsëri.