Arben Gashi kërkon reflektim në LDK: Zgjedhjet janë zgjidhja, jo problemi
Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje për reflektim të thellë brenda LDK-së pas rezultateve të njëpasnjëshme zgjedhore, duke theksuar se besimi është kapitali më i madh i çdo force politike dhe se ai ndërtohet mbi ideale, vlera dhe program, e jo mbi individë.
Në një deklaratë publike, Gashi vlerëson se kur një parti nuk arrin të fitojë besimin e shumicës së qytetarëve për disa zgjedhje me radhë, nuk duhet të kërkojë fajtorë, por përgjigje.
“Besimi është kapitali më i madh i një force politike. Ai nuk ndërtohet mbi individë, por mbi ideale, vlera dhe një program që i shërben shtetit, lirisë, ekonomisë së tregut, pronës private dhe zhvillimit,” ka shkruar ai.
Sipas Gashit, përgjegjësia është virtyt në politikën e qendrës së djathtë dhe vetëm përmes reflektimit, meritës dhe përgjegjësisë mund të rikthehet besimi i qytetarëve.
Gashi ka nënvizuar se në mungesë të suksesit duhet të mbizotërojë arsyeja mbi emocionin, institucioni mbi individin dhe interesi i LDK-së e i Kosovës mbi interesat personale, duke shtuar se demokracia e brendshme nuk është rrezik, por forca më e madhe e partisë.
Në fund, ai ka dalë në mbështetje të mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme në LDK, duke deklaruar se ato janë mekanizmi që rikthen legjitimitetin, besimin dhe energjinë për një cikël të ri politik.
“Zgjedhjet nuk janë problemi. Zgjedhjet janë zgjidhja. As LDK-së e as Kosovës nuk i shkon për shtat vendi i tretë. Kjo nuk mund të bëhet normalitet. Anëtarësia, strukturat dhe elektorati ynë kërkojnë më shumë. Kërkojnë një LDK që fiton, që qeveris dhe që udhëheq me vizion”, ka përfunduar Gashi.