Anëtarësimi në BE, Kurti kërkon proces meritor: Mbështetja për BE-në është rreth 90% - NACIONALE

Anëtarësimi në BE, Kurti kërkon proces meritor: Mbështetja për BE-në është rreth 90%

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vlerësuar se mbështetja e publikut kosovar për anëtarësim në BE është më e larta nga të gjitha vendet kandidate.

Në konferencën e përbashkët për media me komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, Kurti ka thënë se kjo mbështetje rreth 90 %.

Kreu i ekzekutivit ka kërkuar që të avancohet aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat.

“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë, i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian, duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për Bashkimin Evropian për anëtarësim në BE qëndron vazhdimisht rreth 90 për qind në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë, por kërkohet unitet në angazhim”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë me dije se Kosova nuk po kërkon s rrugë të shkurtra, e as derë të pasme, por proces meritor.

“Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtarë, por kërkohet që edhe institucionet e Bashkimit Evropian të shtyjnë këtë unitet përpara. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që len Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga aktor të tjerë dashakëqij të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët. Prandaj është përgjegjësia e gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme