Anëtar i këshillit zgjedhor arrestohet në Çair, policia pa arsyetim zyrtar
Një anëtar i këshillit zgjedhor është arrestuar sot në ambientet e shkollës fillore “Imri Elezi”, në komunën e Çairit në Shkup të Maqedonisë së Veriut, gjatë procesit zgjedhor, raportoi Klan Kosova.
Kryetari i njësisë zgjedhore 2938, Sabri Ramadani, konfirmoi për mediat se policia nuk ka dhënë asnjë shpjegim lidhur me arsyet e arrestimit.
“Është arrestuar një anëtar i këshillit zgjedhor nga administrata, pa më dhënë asnjë arsyetim pse është arrestuar. E kemi zëvendësuar me dikë tjetër. Nuk më tregoi policia asnjë arsyetim, nuk e di pse ka ndodhur,” deklaroi Ramadani.
Ai shtoi se, sipas informacioneve të para, arrestimi ka ndodhur gjatë kohës së pauzës.