Analisti Demi ankohet, thotë se i pengojnë "këngët fetare" në kohë iftari e taksi
Analisti i politikës, Agron Demi, ka kritikuar taksistët dhe lokalet e Prishtinës për lëshimin e muzikës fetare gjatë kohës së iftarit.
Me anë të një postimi në Facebook, Demi ka thënë se këtë vit shumë lokale nuk po sherbëjnë gjatë ditës dhe shumë taksistë po lëshojnë muzikë fetare gjatë iftarit.
“Nuk më ka ndodhë më shpesh se këtë vit me hy me ndonjë lokal e me më thanë që nuk shërbejnë deri në iftar, ose me hy në lokale ose taksi që konstant lëshojnë këngë fetare...”- ka shkruar Demi.
Tutje, ai ka thënë se shteti është laik dhe se bisneset private duhet të operojnë sipas ligjerve laike dhe jofetare.
“Bizneset janë private dhe pronarët e tyre munden me mbajtë çfarëdo religjioni që dëshirojnë, por ama këto biznese operojnë sipas rregullave të një shteti laik dhe duhet të operojnë me atë orarë me të cilin kanë marr leje për operim, e duhet me llogaritë që jo të gjithë konsumatorët e tyre janë religjioz ose i takojnë besimit të pronarëve”,tha Demi.
Madje, ai ka ftuar inspektoriatin e tregut që të inspektojnë këtë praktikë të këtyre lokaleve.
“Në një shtet laik e demokratik, inspektorati i tregut do duhej të inspektonte edhe këtë praktikë të punës së bizneseve”, ka shkruar ai.
