Analistët amerikanë flasin për tensionet Serbi-Kosovë dhe rolin e Perëndimit
Dy njohës amerikanë të marrëdhënieve të vështira mes dy vendeve, kanë folur për Zërin e Amerikës rreth dialogut Kosovë – Serbi.
Frank Wisner dhe ish-analisti i lartë i CIA-s për Ballkanin dhe Evropën, David Kanin kanë qëndrime të ndryshme për rolin e Perëndimit dhe ndikimin që mund të ushtrojë. Ata thonë se nuk besojnë që ekziston rreziku për dhunë në përmasa të mëdha në rajon, por se situata gjeopolitike e bën gjendjen më të brishtë.
Ish-i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet për statusin mes Kosovës dhe Serbisë, Frank Ëisner thotë “nga përvoja ime personale në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, një raund bisedimesh nuk zgjidh kurrë asgjë. Duhet të kesh raunde të mëtejshme”.
Ëisner thotë se çështja e reciprocitetit për dokumentat e identifikimit dhe targat duhet të zgjidhet në mënyrë që palët të përqendrohen tek normalizimi i marrëdhënieve.
Por për ish-analistin e lartë të CIA-s për Ballkanin dhe Evropën David Kanin… “ka vetëm një problem mes Serbisë dhe Kosovës, ai i statusit të Kosovës”.
Sot profesor për Studime Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, se përpjekjet perëndimore dhe amerikane për të zgjidhur përfundimisht këtë problem, kanë dështuar.
“Çështja e targave është thjesht pjesë e këtij problemi dhe duhet pasur parasysh se ky është konteksti i krizës aktuale”, thotë zoti Kanin.
Ambasadori Wisner thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shprehur qartë që nuk pajtohen me qëndrimin e Serbisë për çështjen e targave dhe dokumentave të identifikimit.
“Por ne në të vërtetë kërkojmë shumë më tepër se kaq: ne kërkojmë një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet një Kosove të pavarur dhe Serbisë. Ky qëndrim është i palëkundur nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së”, tha zoti Wisner.
Ai thotë se kjo nuk do të jetë e lehtë.
“Administratat nga të dyja partitë, nuk kanë arritur të kenë sukses me njohjet e mëtejshme të Kosovës, nuk kanë arritur të sigurojnë njohjen nga pesë anëtarët e BE-së, që nuk e kanë njohur atë”, vlerëson profesori Kanin.
Ai thotë se në kushtet aktuale Bashkimi Evropian mund të bëjë përpjekje për marrëveshje për çështje teknike dhe të thotë se po ecet në drejtimin e duhur.
“Por ato do të ishin vetëm fasadë. Çështja është statusi i Kosovës. Unë nuk besoj se Perëndimi është në një pozicion ta shtyjë procesin përpara”, shton ndër tjerash.
Profesori Kanin u referohet përpjekjeve sipas tij të pasuksesshme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës për ta konsoliduar pozitën e saj ndërkombëtarisht, por edhe marrëveshjes së vitit 2013 që ai e konsideron të pafavorshme për Kosovën, përfshirë Asociacionin e Komunave Serbe. Ai thotë se për këtë arsye Serbia është në një pozitë më të favorshme.