Ambasadorja amerikane: S’pres ftesë për Ukrainën në NATO as në samitin e korrikut
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Julianne Smith, tha të martën se ajo nuk pret që aleanca t’i dërgojë ftesë për anëtarësim Ukrainës në samitin që do të mbahet në korrik në Uashington.
“Sa i përket samitit këtë verë, unë nuk pres që aleanca të lëshojë një ftesë në këtë pikë kohore” – tha zonja Smith si përgjigje ndaj një pyetjeje në një konferencë me gazetarë para një takimi të ministrave të vendeve të NATO-s të enjten, raporton agjencia “Reuters”.
Në një samit në Lituani vitin e kaluar, udhëheqësit e NATO-s thanë se e ardhmja e Ukrainës është në aleancë, por nuk i lëshuan ftesë e as nuk i përcaktuan afate kohore për anëtarësim.
“Ne kemi punuar shumë fort nga samiti i Vilniusit vitin e kaluar për të lëvizur në një numër hapash për të vazhduar që t’i ndihmojmë miqtë tanë në Ukrainë me reformat e nevojshme brenda vendit të tyre për t’iu afruar integrimit euro-atlantik dhe ne vazhdojmë që të përqendrohemi në rend të parë në përkrahjen ndaj tyre në luftën e tanishme dhe në sigurimin që ata të mund të ngadhënjejnë në fushë të betejës” – shtoi ambasadorja amerikane.
Përderisa po lufton kundër pushtimit rus, Ukraina e ka bërë të qartë synimin e saj për t’u anëtarësuar në aleancën e udhëhequr nga ShBA-ja. Kievi dhe disa aleatë brenda NATO-s, sidomos nga Evropa Lindore, kanë bërë thirrje që Ukrainës t’i jepet ftesa për anëtarësim, edhe pse pranojnë që ajo nuk mund të bëhet pjesë e aleancës përderisa është ende në luftë.