Ambasada ruse për incidentin në Gramsh: Kërkuam informacion për rastin nga Shqipëria
Ambasada e Rusisë në Shqipëri ka reaguar pas incidentit në Gramsh, ku u sulmuan dy ushtarakë shqiptarë.
Ambasada, duke shkruar një përgjigje për Euroneës Albania, ka thënë se ende nuk ka marrë ndonjë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare, dhe se për rastin u informua nga mediet.
Tutje, misioni diplomatik rus ka treguar se i ka dërguar një notë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, për të pyetur për vendndodhjen e të ndaluarve dhe akuzat që rëndojnë mbi ta.
“Ambasada nënvizon se i ka dërguar një notë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për të vënë në dijeni misionin diplomatik rus, në mënyrën e përcaktuar, për identitetin e të ndaluarve, vendndodhjen e tyre aktuale, thelbin e akuzave të ngritura, veprimet e mëtejshme procesuale ndaj tyre, si edhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të Degës Konsullore të Ambasadës me shtetasit rusë të ndaluar”, thuhet në reagimin e ambasadës.