Ambasada e Holandës: S’mund të ketë liri shtypi nëse gazetarët s’mund të bëjnë punën e tyre - NACIONALE

Ambasada e Holandës: S’mund të ketë liri shtypi nëse gazetarët s’mund të bëjnë punën e tyre

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven, ka zhvilluar një takim me gjashtë redaktorë të Radiotelevizionit të Kosovës, të cilët janë larguar nga moderimi i emisioneve në transmetuesin publik nga njerëzit e Vetëvendosjes, në një censurë të paprecedentë.

Përmes një komunikate, Ambasada thekson se liria e shtypit nuk mund të funksionojë nëse gazetarët nuk gëzojnë siguri dhe mbrojtje gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se Holanda mbetet e përkushtuar në promovimin e gazetarisë së pavarur dhe në mbrojtjen e reporterëve, duke e cilësuar rolin e tyre si shtyllë thelbësore të një shoqërie demokratike.

Ambasadorja Boven, gjatë takimit me redaktorët e RTK-së, njoftoi se ka dëgjuar nga afër shqetësimet dhe sfidat me të cilat po përballen ata, duke nënvizuar rëndësinë e një mjedisi mediatik të hapur, transparent dhe të drejtë.

“S’mund të ketë liri shprehjeje apo liri shtypi nëse gazetarët nuk janë të sigurt për të bërë punën e tyre. Holanda vazhdon të bëjë fushatë për mbrojtjen e gazetarisë së pavarur dhe për sigurinë e gazetarëve në mbarë botën, pasi ata janë gurët e themelit të një shoqërie demokratike. Në këtë frymë, Ambasadorja Karin Boven ftoi një grup prej 6 redaktorësh lajmesh të transmetuesit publik RTK dhe dëgjoi mendimet, shqetësimet dhe sfidat e tyre. Si Holandë, ne besojmë fuqimisht në lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe në një ofrim informacioni të hapur, të drejtë dhe transparent nga media, duke u mundësuar në të njëjtën kohë gazetarëve të kryejnë rolin e tyre me integritet të lartë. Njëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën. Ambasada e Holandës në Kosovë do të ndjekë me vëmendje zhvillimet aktuale shqetësuese në media.” – thuhet në raegim.

Lajme të ngjashme