Ali Ahmeti shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-kryeparlamentarit dhe akademikut Nexhat Daci, duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më të rëndësishme të Kosovës.
Në reagimin e tij, Ahmeti theksoi se ndarja nga jeta e Nexhat Dacit përbën një humbje të madhe jo vetëm për politikën, por edhe për jetën akademike dhe publike të vendit. Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e Dacit në proceset kyçe që çuan drejt pavarësisë së Kosovës, duke theksuar urtësinë dhe pjekurinë e tij politike.
“Me dhimbje të thellë e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim, akademik Nexhat Dacit. Kosova sot nuk ka humbur vetëm një ish-politikan, por një nga akademikët më të shquar dhe personalitetet më të rëndësishme të saj. Akademik Daci, me urtësinë dhe pjekurinë e tij politike, ka luajtur një rol kyç në proceset më të rëndësishme që çuan drejt pavarësimit të shtetit të Kosovës,” ka shkruar Ahmeti.
Në fund, kreu i BDI-së shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe vlerësuar veprën e Nexhat Dacit, duke i uruar prehje në paqe.