Aleati i Navalnyt, Leonid Volkov, sulmohet me çekiç në Lituani
Ndihmësi i vjetër i opozitarit të ndjerë rus, Alexei Navalny, Leonid Volkov, të martën u sulmua me çekiç në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, tha ish-zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh.
“Volkovi porsa është sulmuar afër shtëpisë së tij. Dikush theu një dritare të veturës dhe i hodhi gaz lotsjellës syve, pastaj sulmuesi filloi që ta godiste Leonidin me një çekiç” – shkroi zonja Yarmysh në rrjetin X, raporton agjencia “Reuters”.
Ajo publikoi fotografi në të cilat Volkovi shihet me një mavijosje në ballë, me rrjedhje gjaku nga një plagë në këmbë dhe një automjet me dëme në derën dhe dritaren e vozitësit.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, i cili e udhëheq partinë në pushtet, e quajti “shokues” këtë sulm.
“Autorët do të detyrohen që të përgjigjen për krimin e tyre” – shkroi ai në rrjetin X.
Policia lituane tha se ishte informuar se një burrë ishte rrahur pranë shtëpisë së vet dhe se ishte duke e hetuar rastin.
Forcat policore rrethuan një pyll me pisha afër shtëpisë së Volkovit, në periferinë veriore të Vilniusit, dhe policë me qen e drita u panë duke bërë kërkime në të në mbrëmjen e vonë të së martës.
Një pjesë e madhe e grupit politik të Navalnyt – Fondacioni Kundër Korrupsionit - në të cilin bën pjesë edhe Volkovi, banojnë në Lituani – anëtare e NATO-s dhe e BE-së – pas largimit nga Rusia.